Në gjendjen e dytë, kur adhurimi i kushtohet All-llahut, kur e pranon varfërinë dhe dobësinë e vet, atëhere horizonti i tij zgjerohet. Vlera dhe rëndësia e tij rritet, sepse dihet që Krijuesi i Madhërueshëm, midis cilësive shpirtërore të njeriut ka futur edhe dobësi dhe varfëri të pafundme.

Pse i di dhe i njeh këto cilësi, njeriu duhet të pranojë Fuqinë e Pafundme të Fuqizorit të Mëshirshëm dhe të çmojë pasurinë e Tij të Begatë, e atëhere ky njeri bëhet si një pasqyrë e madhe e shfaqjes së Zotit xh. sh.. Pra njeriu i ngjan farës. Ashtu siç i jepen farës prej Fuqisë së Tij, aftësitë, mundësitë, mjetet dhe elementet e vlefshëm nga kaderi, caktimi i Zotit xh. sh., po kështu i jepen edhe njeriut të gjitha mundësitë. Atij i është dhënë një program i hollë dhe i studjuar, si asaj farës, që i është dhënë një ndërtim i përshtatshëm që të mund të punojë nëntokën e fortë dhe duke e zgjeruar shtegun e ngushtë të lartësohet në ajrin e pastër duke u bërë një pemë madhështore. Po nëse kjo farë për shkak të karakterit të keq cilësitë e vlefshme që i ka falur Zoti i shpërdoron dhe atje në tokë disa elementë keqbërës e tërheqin pas vetes, ajo shumë shpejt, atje në folenë e saj, do të kalbet.

"5_24022010152141.jpg"

Po nëse fara cilësitë e vlefshme i përdor nën urdhërin e ajetit, nga ai shteg i ngushtë do të dalë dhe nga ajo do të rritet një pemë e madhe, me fruta të shijshme. Duke qenë një qënie e vogël me shpirt të padukshëm, do të arrijë tek një e vërtetë kolosale. Njëlloj si këto që thamë, edhe njeriut i janë dhënë nga Fuqia e Mëshiruesit cilësi tepër të çmuara dhe “Kaderi i caktimit të Tij”, tek kjo krijesë ka programuar një veprimtari tepër të vyer. Po nëse ky njeri këto vlera i vendos nën dëshirat e tij vulgare dhe të ulëta në këtë jetë të shkurtër, duke iu bindur veseve personale dhe të përkoshme, atëhere ky njeri, si ajo fara e kalbur do të vdesë duke vuajtur në këtë jetë të shkurtër. Për këtë fatkeqësi përgjegjësinë duhet t’ia ngarkojë shpirtit të vet, kur të ndahet nga kjo botë. Po nëse aftësinë e vet kjo farë me “ujin” e fesë Islame e vadit, me Dritën e këtij Besimi e ndriçon dhe me pasionin e adhurimit e edukon duke u mbështetur nën urdhërat e Kur’anit, atëhere fytyrën e cilësive të veta e kthen nga qëllimet e tij.

Atëhere me të vërtetë, në këtë jetë dhe në jetën e varrit kjo farë do të rritet dhe do të lëshojë degë dhe në Jetën e Perjetshme do të arrijë përsosmërinë e pafundme. Begatitë (nimetet) e saj do të jenë të pallogaritshme dhe fara do të japë prodhimin e dëshiruar me fruta të shndritshme, duke u bërë në tërë Gjithësinë një pemë e bekuar. Progresi i vërtetë është të kthesh fytyrën e dhuntive nga Ai ku ndodhen zemra, sekreti, shpirti, mendja, bile edhe imagjinata. Kur të mendosh për jetën e ardhshme do të kujtohesh të bësh adhurimet si një detyrë e vërtetë dhe e domosdoshme, domethënë që secila shqisë të përdoret për atë qëllim dhe vend për të cilin është krijuar.

Përkundrazi, mosbesimtarët zhvillimin mendor e quajnë përparim dhe thonë, pa vënë re se kush është haram dhe kush hallall, se duhet të përfitosh prej të gjitha gjërave të shijshme, pa i quajtur turp ose të turpshme. Njeriu mendjen, zemrën dhe të tjera organe, duke i lënë në dorë të veseve dhe nefsit, e quan këtë përparim. Jo, ky nuk është përparim, por një dështim i madh, një katastrofë njerëzore. Kjo e vërtetë sqarohet me një ngjarje të imagjinuar:

“Hyra në një qytet të madh. Aty kishte pallate dhe vila luksoze. Nga porta e disa prej vilave shpërndahej një gazmend i madh dhe i ndritshëm, që të tërhiqte vëmendjen dhe të dukej sikur prej secilës merrje një pjesë të gëzimit të saj. Mua më tërhoqi vëmendjen zotëria i vilës që kishte dalë tek porta dhe luante me qenin. Ndërsa zonjat e shtëpisë të shkujdesura deri në paturpësi, bisedonin me disa të huaj. Vajzat e rritura “luanin” me djemtë e huaj. Portieri, si një aktor i mirë komandonte lojën e tyre. Nga këto që pashë, e kuptova se vila brenda mureve kishte mbetur bosh. Detyrat dhe përkushtimet kishin mbetur pa u realizuar. Morali i këtyre njerëzve ishte shkatërruar, prandaj vila kishte rënë në këtë gjendje.

Nga kjo vilë u largova shpejt. Duke ecur rrugës përpara më doli një vilë tjetër, më e madhe dhe më e bukur. Ajo kishte tjetër pamje dhe aty kryheshin veprime të tjera. Përpara derës rrinte shtrirë një qen i madh besnik, por edhe i ashpër. Pak më tej qëndronte një portier serioz dhe i qetë. U çudita nga ndryshimi që kishin këto dy vila me njëra-tjetrën dhe thashë me vete se ç’ishte kjo kështu! Pa e zgjatur hyra brenda. Vura re se brenda ajo gufonte nga gëzimi. Grupe-grupe njerëzit merreshin me detyrat dhe punët e tyre. Qetësia dhe mirëkuptimi ndihej kudo. Vajzat dhe djemtë bënin mësimet. Më tutje zonjat merreshin me artet nazike dhe qëndisje të bukura. Në grupimin më të lartë i zoti i vilës bisedonte në telefon për rendin dhe qetësinë e popullit, që jeta të përsosej më mirë.

Pra secili merrej me detyrën e tij, që i përshtatej dhe i kishte hije. Ata nuk më thanë “pse ke hyrë” apo “është e ndaluar”, prandaj pasi sodita vilën për pak kohë nga brenda, u largova. Kur dola nëpër qytet, vura re se i gjithi ishte mbushur me dy lloj vilash. Pyeta për këtë çudi dhe më thanë: “Të gjitha vilat që ngazëllejnë nga gëzimi e dëfrimet e shfrenuara, brenda janë bosh dhe janë të banuara nga mosbesimtarët. Ata bëjnë jetën e tyre të pakuptimtë dhe të mbushur me prapësira. Në vilat e tjera banojnë besimtarët dhe kryetarët e tyre janë me sedër (namuz). Kur po vazhdoja rrugën, në një qoshe pashë një vilë tjetër. Mbi portë në ballë ishte shkruar: “Said”. M’u duk sikur aty pashë fotografinë time dhe fillova të bërtas. Nga ankthi u zgjova.

Tani po ta sqaroj ty këtë ndodhi të imagjinuar. All-llahu e bëftë hajr! Ai qytet që përmenda simbolizon jetën shoqërore të njerëzimit. Secila vilë është një njeri. Brenda kësaj vile-njeri dallohen shqisat dhe cilësitë e buta të njerëzve, si: syri, veshi, zemra, shpirti dhe mendja. Veç këtyre, njeriu në vetvete përmban edhe forca epshore, si: nervat, seksi etj.. Tek çdo njeri secili organ ka detyrën e vet. Prirjet epshore dhe nervore kanë vendin tek “porta” e tyre si qen-roje. Po i vure ndjenjat e buta në shërbim të veseve dhe pastaj t’i zhvlerësosh, ato të shtyjnë të harrosh detyrimin kryesor. Kjo është një rënie e tmerrshme. Këtë nuk mund ta quajmë kurr si përparim, por po e lëmë me kaq. Anët e tjera të çështjes mund t’i kuptosh edhe vetë.

Pika e tretë: Përmes punës dhe veprës së tij, njeriu shfaqet si një krijesë e dobët dhe e pafuqishme. Pamja e kësaj ane të njeriut është kaq e dukshme, saqë mjafton që ta zgjatësh dorën për ta kapur. Për ta kuptuar më mirë mjafton të krahasojmë kafshët e buta me ato të egra. Kafshët e buta, pasi ia kanë dhënë frerët në dorë njeriut, janë bërë dembele dhe të dobëta si njerëzit, kurse shoqet e tyre të egra kanë një dallim të madh. Ky dallim duket midis kaut të butë dhe atij të egër, midis dhisë së butë dhe asaj të egër. Njeriun një Zot e ka krijuar dhe Ai e pranon dhe e lartëson atë sipas ligjeve dhe rregullave të Tij. Njeriu të gjitha pyetjet dhe lutjet Atij ia drejton, sepse Ai e ka dërguar në bujtinën e Kësaj Bote si një mysafir të ndershëm. Si mik i një Fisniku që është, njeriut përpara vetes i janë hapur Arka e Thesareve. Zoti i ka mësuar mjeshtëri të rralla dhe e do si shërbëtorin e Tij besnik. Zoti xh. sh. për dobinë e njeriut përpara tij ka hapur horizonte, ku të shëtisë dhe të sodisë mbi të gjithë sipërfaqen e rruzullit. Imagjinata e njeriut të shpaloset gjërë e gjatë.

Kështu në qoftë se njeriu mbështetet tek “un”-i dhe si qëllim kryesor ka këtë jetë të përkohshme, ai këtu vetëm se ushqehet dhe kënaqet me disa mirësi kalimtare. Rrethi i tij është i ngushtë. Ai gulçet dhe shkon nga hiçi. Organet e tij që i janë dhënë për t’i shërbyer në këtë jetë, si shqisat dhe pjesë të tjera të veçanta të trupit, do të ankohen ndaj tij dhe në “Mah’sherin e Madh” kundër tij do të dëshmojnë. Ata do të jenë paditësit e tij.

Në qoftë se ky njeri e quan veten mik të përkohshëm në këtë botë dhe kapitalin e moshës së vet do ta harxhojë për Padronin e vet, ky është me të vërtetë mik i Zotit xh. sh.. Si të ketë punuar mirë në një rreth të gjerë për një jetë të përjetshme, atëhere bota për të do të ketë më shumë frymëmarrje, zbavitje dhe pushime. Ky njeri mund të shkojë në kulmin e lartësive. Të gjitha shqisat dhe elementet që i janë dhënë në këtë jetë për t’i shërbyer, ndahen prej tij duke dëshmuar në favor të tij në Jetën e Pastajme. Pra, organet e njeriut nuk i janë dhënë atij vetëm për këtë jetë të përkohshme, por sigurisht edhe për jetën e Përjetshme.

Kur të krahasojmë njeriun me kafshët, do të shohim se nga mjetet dhe elementet përbërës, njeriu është një pasanik i madh, pothuaj njëqind herë më i pasur se kafsha. Ja pra njeriu për secilën shije ka ndijim të veçantë, ashtu sikurse edhe për çdo hidhërim ka gjurmën e veçantë të helmit, hidhërimeve të së kaluarës së tij iu shtohet edhe frika e së ardhmes, bashkë me ndarjen nga farefisi. Mpleksja e shijimeve me hidhërimet, njeriut ia prish humorin dhe kënaqësinë. Kafsha nuk është krijuar kështu. Ajo shijon dhe kënaqet pa ndjerë fare hidhërim. Lumturohet pa u dëshpëruar, as e kaluara dhe as e ardhmja nuk e shqetëson. Ajo nuk trishtohet nga asgjë. Jeton pa brenga në një qetësi të plotë duke falenderuar Krijuesin e saj.

Njeriu duke qenë krijesa më e përsosur dhe e pajisur me shqisa njëqind herë më të pasura se kafsha, nga kjo jetë është njëqind herë më i pakënaqur se ajo, prandaj përkushtimi i tij vetëm për këtë botë të përkohshme atë e rrëzon më poshtë se kafsha, bën ta shijojë këtë botë më pak se një zog i pyllit. Më parë kemi dhënë një shembull dhe meqenëse ka lidhje me këtë problem, po e përsërisim:

Një pasanik i jep shërbëtorit të tij dhjetë napolona flori dhe i thotë: “Shko e bli një kostum prej stofi të mirë!” Po kështu thërret shërbëtorin e dytë dhe bashkë me njëmijë napolonat e floririt i jep edhe një letër ku kishte shkruar porosinë.

Shërbëtori i parë, me dhjetë napolona bleu një kostum shumë të bukur.

Shërbëtori i dytë, pa e lexuar fare letrën, nxjerr njëmijë napolonat dhe ia jep një shitësi, duke i kërkuar një kostum burrash. Shitësi qëlloi mashtrues dhe i jep një kostum prej një stofi shumë të keq. Kur shkoi tek padroni, shërbëtori fatkeq u dënua rreptë dhe vuajti shumë. Kush ka mend sa një kokërr gruri e kupton se kur shërbëtorit të dytë i dhanë njëmijë napolona flori, dihet se ato nuk iu dhanë vetëm për një palë rroba, por mund të përdoreshin edhe për një tregti të levërdisshme dhe serioze.

E njëjta gjë ndodh me elementet e ndjeshmërisë shpirtërore dhe vlerat njerëzore të njeriut, të cilat të krahasuara me ato të kafshës janë njëqind herë më të zhvilluara. Si shembull: Të gjitha shkallët e bukurisë, syri i njeriut i veçon dhe ushqimet e lloj-llojshme i vlerëson shqisa e shijes, duke përcaktuar edhe shkallën e saj.

Mendja e njeriut është pajisur me cilësi të tilla, që është në gjendje të analizojë të gjitha stërhollimet e fenomeneve. Zemra po kështu është e mbushur me të gjitha përmallimet dhe sentimentet humane. Po në këtë mënyrë, po t’i rreshtosh të gjitha elementet përbërës të njeriut, a mund të kuptosh se deri ku shkon radha? Shqisat e njeriut nuk janë si ato të kafshës së thjeshtë, që peshojnë shumë pak. Ato dinë vetëm të hanë, të pinë dhe të bashkohen për të vazhduar fisin e tyre. Mund të dallohet fare pak ndonjë kafshë që ka një farë instinkti të zhvilluar, që spikat me veprimet e saj, por mendimi është tepër i vështirë të zbulohet.

Këto veprime nuk janë veçse instinkte. Pra kuptohet nga sa thamë se njeriu nga kjo pikëpamje është shumë i pasur në aftësitë e shqisave, për shkak se ai zotëron mendjen dhe arsyen e nuk është e vështirë për të zbuluar aftësitë e tjera. Veç kësaj, nevojat dhe kërkesat e njeriut janë të panumërta dhe ndjenjat e tij janë tepër të hapura dhe të shumëllojshme. Krijimi i njeriut, po të krahasohet me shumë krijime të tjera, ka qëllime shumë të larta dhe të gjera, si dhe dëshira të larmishme. Ai është i ngarkuar me detyra të veçanta. Aftësia e njeriut është e tillë, që ai të sqarojë dhe të zbatojë të gjitha llojet e adhurimeve. Ai ka përsosmërinë për të shfrytëzuar të gjitha këto aftësi. Aq shumë është i pajisur me aftësi të rralla dhe me një kapital të madh, saqë të gjitha këto veti dëshmojnë se nuk janë vetëm për në këtë botë të përkohshme. Obligimet dhe detyrimet e njeriut janë shumëplanëshe, të larmishme dhe të detyruara për t’u zbatuar.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 >>>